Kuzhina greke

Eventi: 25 Maj 2022

Ora: 17:00 – 20:00

Vendi: Pedonale, Shkodër


Eventi: 26 Maj 2022

Ora: 17:00 – 20:00

Vendi: Sheshi Rekreativ, Pazari i Ri, Tiranë

Organizatorët: Ambasada e Greqisë, Minisitria e Kulturës, Bashkia e Tiranës

Prezantimi: Kuzhina e dy vendeve fqinje nuk ka se si të mos jetë e ngjashme. Duke pasur thuajse të njëjtën klimë dhe argokulturë, jo të pakta janë edhe të përbashkëtat në kulinari. Por, të ndajmë disa receta nga kulinaria e secilit vend është gjithnjë një ngjarje e bukur, një takim tjetër që bashkon dy kultura. Qëllimi i një eventi ku në qendër vendoset gastronomia, është që të evidentojë shijet e mira të trashëguara ndër breza, por në këtë takim do të zbulojmë edhe ngjashmëritë dhe dallimet e kuzhinës shqiptare dhe asaj të Epirit, si të dy vendeve që kanë pasur e nuk kanë pasur kufij në kohë të ndryshme të zhvillimit të trevave. Pikërisht këto dhe të tjera mund t’i zbulojmë duke shijuar kuzhinën greke më 25 maj në pedonalen e qytetit të Shkodrës dhe më 26 maj në Pazarin e Ri të Tiranës. Sepse shijet janë ato që i flasin ende dy kulturave edhe përmes tryezave të miqësisë.

Ftesë: Imagjinoniblegtorë që bashkë me kopetë e tyre dalin në mëngjes në kullotat malore. Këtë pamje e gjen në Shqipëri, por edhe në Greqi. Për vite e dekada të tëra ka qenë kështu. Një mënyrë jetese që ndikohet nga relievi, thuajse i njëjtë, malet, detet e fushat e bukura që nuk i mungojnë Greqisë e as Shqipërisë. Deti Jon që lag dy vendet, klima, por edhe jeta e gëzueshme e bën jo pak herë edhe tryezën të pasur me receta fantastike. Edhe kuzhina e varfër e të dyja vendeve duket se shënjon të njëjta pjata. Diku në Shqipëri Trahana të tharrtë, diku në Greqi Trahana me kërpudha, diku petulla me kos e diku qumështor me petë. Një takim gastronomik nuk tregon vetëm shije përmes recetave, por edhe një mënyrë jetese. Një koleksion i veçantë enësh gatimi që duhej të ishin të lehta për t’u transportuar në fshat, si saçi, pirustia, tenxherja e varur, një recetë pa shumë elementë apo një përpjekje për të ushqyer mirë kafshët e shtëpisë për të siguruar produkte të mira është historia e plotë e një pjate që ulet në tavolinë. Histori të tilla ju ftojmë të zbuloni në pedonalet e Shkodrës dhe Pazarin e Ri të Tiranës në datat 25 dhe 26 maj përmes ngjyrave të kulinarisë së dy vendeve!