Autori i më shumë se 500 emisioneve kreative për fëmijë si “Art me Kostën”,“Artist Tak Fak”, “Plastelina Magjike” në platformën TRING TV dhe Vizion Plus dhe “ArtInstinkt” në Digitalb, ai që njihet më së shumti si XHAXHI PIKTORI, Kosta Zhonga pret me kënaqësi të gjithë të vegjlit në punëtorinë e tij që zhvendoset më 25 maj pranë Liqenit të Farkës. Me temën “Pikturojmë dhe Riciklojmë”, xhaxhi piktori fton fëmijët e moshave 6-12 vjeç që të bëhen pjesë e një përvoje që do të kurorëzohet me një ekspozitë fantastike të artistëve të vegjël. Ku parku “Helen” pritet të pushtohet nga vizatime dhe amfora 3D me kartona të realizuara gjatë këtyre 4 muajve nga fëmijët që kanë punuar me të. Dita artistike kushtuar publikut të vogël po aq sa edhe si art që vjen nga fëmijët do të mbyllet me tingujt më të njohur të muzikës klasike, me kompozime të Vivaldit, Mozartit, Bethovenit dhe të kompozitorëve të tjerë kontemporanë që mbërrijnë në këtë koncert instrumental nga nxënësit e moshave 4-14 vjeç nën drejtimin e pianistes Klea Gjezi Zhonga. Ndaj, të rritur e fëmijë bëhuni bashkë për këtë festë sepse diçka është e sigurt: Bota do të ishte më e bukur po ta shihnim përmes syve dhe shpirtit të fëmijëve!


