Pikturë dhe muzikë për fëmijët

Eventi: 27 Maj 2022

Ora: 10:30 – 12:30 Pikturë
Ora: 17:30 – 19:30 Koncert

Vendi: Parku Helen në Liqenin e Farkës, Tiranë

Organizatorët: Ambasada e Greqisë, Minisitria e Kulturës, Bashkia e Tiranës

Prezantimi: Qendra Kulturore “MADI Art” zhvendoset në Parkun “HELEN” me artistët e vegjël për të sjellë një ditë festive nën drejtimin e piktorit Kosta Zhonga dhe pianistes Klea Gjezi Zhonga. Duke filluar nga mëngjesi në ora 10:30 e deri pak pas mesdite Liqeni i Farkës do të shndërrohet në punëtorinë artistike të pikturës. Misioni i tyre është që materialet e riciklueshme të mund t’i kthejnë në vepra arti, të cilat do të ekspozohen po atë pasdite në ora 17:30 po në parkun “Helen”. Por festa për të vegjlit nuk mbaron me kaq, pasi arti vizual i lë vendin muzikës që do të trumbetojë tinguj klasikë të interpretuar po nga artistët e vegjël. Vivaldi, Mozart, Bethoven do të  performohen nga nxënësit e moshave 4-14 vjeç nën drejtimin e pianistes Klea Gjezi Zhonga, me një përvojë 20-vjeçare në perëndim si dhe koncertmaestër në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.

Ftesë: Në kalendarin e Javës së Kulturës Greke në Shqipëri kemi menduar për të gjithë. Një ditë plot art për fëmijët dhe nga fëmijët është ftesa e 27 majit. Ndaj nëse jeni një artist i vogël apo njihni dikë që do të ndihet i tillë kjo ftesë vlen për ju. Në Farkë, te Parku “Helen” ka vend për të gjithë artistët e vegjël. Fëmijët pjesëmarrës do të njihen me teknikat e ndryshme të pikturës dhe do të mësojnë se si mjete të padobishme mund të shndërohen në vepra arti. Duke përdorur kartona, rula të letrave të kuzhinës, gota, shishe apo pjata plastike, të vegjlit do të realizojnë vepra për t’i ekspozuar më pas ato me krenari. E pas ekspozitës, muzika premton të jehojë në një koncert që nis në ora 17:30 në Parkun “Helen”.